RTSH 24 Live

Kosovë

NATO: SHBA vijon të luajë rol themelor në KFOR

20/02/2025

NATO: SHBA vijon të luajë rol themelor në KFOR

NATO ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol kyç në kuadër të KFOR-it, misionit paqeruajtës në Kosovë, ku janë të angazhuar aktualisht mbi 600 trupa amerikane. Ky reagim vjen pas një artikulli të publikuar nga media gjermane “Bild”, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara mund të përgatisin tërheqjen e forcave të tyre nga Kosova.

Në përgjigjen e saj, NATO theksoi se angazhimi i SHBA-ve në kuadër të KFOR-it është i palëkundur dhe vazhdon të kontribuoni në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

“NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati. Angazhimi ynë për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të saj të gjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa,” thuhet në reagimin e NATO-s për KosovaPress.

Media gjerman “BILD” në një artikull të titulluar “Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane” citojnë disa burime duke thënë se Italia po bëhet gati për një skenar të mundshëm të tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.

Theksojmë se presidenti i SHBA-së Donald Trump ka pasur thirrje të shpeshta ndaj NATO-s duke kërkuar fuqizimin e saj dhe rritjen e investimeve në fushën e mbrojtjes.

/rtsh.al/