Policia e Kosovës ka mbyllur 4 qendra ilegale në veri të Mitrovicës. Lajmi është bërë me dije nga zëvendësdrejtori i Policisë, Veton Elshani, i cili sqaron se ky aksion ka ardhur pas arrestimeve të 4 zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok, një ditë para zgjedhjeve të 9 shkurtit, në lidhje me veprën cenim i përcaktuesve të votuesve.
Elshani u shpreh se këta zyrtarë dyshohej se kanë kryer telefonata me qytetarë të ndryshëm dhe nën formën e kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë, duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre, në favor të një partie të caktuar politike.
“Më 08 shkurt 2025, një ditë para zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë, ne kishim arrestuar 4 persona (zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Zubin Potok), në lidhje me veprën cenim i përcaktuesve të votuesve. Në fakt këta zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale e cila ishte në strukturë paralele/ilegale dyshohej se kanë thirrur qytetarë të ndryshëm në telefon dhe nën formën e kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar se si të votojnë, duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike e cila ishte në garë për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Lidhur me punën tonë hetimore ne e kemi njoftuar Prokurorinë Themelore në Mitrovicë nga të cilët kemi kërkuar që të na lejohet kontrolli i këtyre qendrave me qëllim të zbulimit të provave me të cilat do të vërtetohet saktë mënyra e veprimit të këtij aktiviteti të kundërligjshëm e që cilësohet si falsifikim i dokumenteve. Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka aprovuar kërkesën tonë dhe e ka dërguar mandej kërkesën e vetë për urdhër të kontrollit në Gjykatë, gjë të cilën edhe e ka marr, dhe tani jemi në kontrolle të këtyre qendrave me urdhër të Gjykatës. Pas kontrollit të këtyre vendeve, ne do të njoftojmë prokurorinë me të gjeturat, e cila pastaj do të vendosë për hapat e mëtejmë”, tha Elshani.
/rtsh.al/