"Pozicioni ynë është i qartë dhe i unifikuar: ne duam një paqe të fortë dhe të qëndrueshme në Ukrainë." Këtë e nënvizon presidenti francez Emmanuel Macron në një deklaratë të lëshuar përmes X, menjëherë pas përfundimit të takimit të sotëm me video-konferencë për Ukrainën.
Presidenti francez thotë se "ne jemi në anën e Ukrainës" dhe do të marrim të gjitha përgjegjësitë tona "për të garantuar paqen dhe sigurinë në Evropë".
"Ne jemi të bindur për nevojën për të rritur shpenzimet e mbrojtjes"
Emmanuel Macron gjithashtu vë në dukje se "ne kemi të njëjtin qëllim si presidenti Trump, domethënë t'i japim fund luftës agresive të Rusisë, e cila po vazhdon prej tre vjetësh".
Në vijim, presidenti francez thekson se në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje paqësore, “Ukraina duhet të jetë e pranishme dhe të respektohen të drejtat e saj”. Ai gjithashtu thekson se arritja e paqes duhet të jetë e qëndrueshme dhe e shoqëruar me garanci të forta dhe të besueshme dhe se shqetësimet evropiane të sigurisë duhet të merren parasysh.
Në përfundim, presidenti francez përsërit se “jemi i bindur për nevojën për të rritur shpenzimet dhe kapacitetet tona të mbrojtjes”, duke vënë në dukje se vendimet në këtë drejtim do të merren në ditët dhe javët në vijim.
/rtsh.al/