RTSH 24 Live

Europë

Zgjedhjet në Gjermani, testohet për herë të parë reforma e Kodit Zgjedhor

17 orë para

Zgjedhjet në Gjermani, testohet për herë të parë reforma e Kodit Zgjedhor

Këtë të diel, gjermanët u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri.

Bundestagu nga ky vit do të jetë ndryshe nga të mëparshmit për shkak të risive të reformës zgjedhore, të cilat u miratuan pas shumë debatesh dhe përpjekjesh.

Një prej tyre është edhe reduktimi i numrit të deputetëve, i cili ulet në 630 nga 733 që ishin në kuvendin e mëparshëm. Ndërkohë fleta e votimit mbetet e njëjtë.

Çdo votues ka dy vota: një për një kandidat të zonës dhe një për partinë, por risia vjen nga vota e dytë, e cila përcakton listën e deputetëve të zgjedhur nga partitë, pasi rëndësia e saj do të rritet.

Më parë, nëse një parti fitonte shumë mandate në zona të caktuara, por nuk kishte vota të mjaftueshme në total, ajo përfitonte vende shtesë në parlament.

Reforma e re i ka hequr këto mandate. Kandidatet dhe kandidatët që fitojnë zonat elektorale mund të hyjnë në Bundestag vetëm nëse votat e partisë së tyre përputhen me rezultatet përkatëse, ndryshim ky që synon të rrisë peshën e votës së dytë dhe të sigurojë përfaqësim më të drejtë.

Pragu elektoral prej 5 për qind nuk ndryshon dhe partitë që nuk e kalojnë atë nuk mund të hyjnë në Bundestag.

Megjithatë ka edhe përjashtime, pasi një parti që fiton të paktën tre mandate të drejtpërdrejta mund të hyjë në parlament edhe pa arritur pragun 5 për qind.

Zgjedhjet e 23 shkurtit priten të jenë një test për këtë sistem të ri zgjedhor.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/