RTSH 24 Live

Europë

Kremlini mohon se ka kërkuar që NATO-ja t’i tërheqë trupat nga Evropa Lindore

14 orë para

Kremlini mohon se ka kërkuar që NATO-ja t’i tërheqë trupat nga Evropa Lindore

Kremlini ka mohuar raportimet se zyrtarët rusë u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara tërheqjen e trupave të NATO-s nga shtetet afër apo në kufi me Rusinë.

Këto deklarata, të bëra nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u bënë pasi një këshilltar i lartë presidencial rumun dukej se tha që zyrtarët rusë e kishin bërë këtë kërkesë gjatë bisedimeve të nivelit të lartë në Riad mes delegacioneve nga Moska dhe Uashingtoni.

Zyrtari rumun, Cristian Diaconescu, i cili foli për një televizion në Rumani, më pas u tërhoq nga deklaratat e tij, duke qartësuar se një kërkesë e tillë ishte bërë në të kaluarën, më 2021, pra para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Rusia për vite me radhë ka shprehur zemërim, publikisht dhe privatisht, lidhur me praninë e trupave të NATO-s në shtete sikurse tre shtetet e Baltikut dhe në Poloni.

Gjithashtu është ankuar lidhur me sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s në Poloni dhe Rumani.

Zgjerimi i NATO-s nga lindja – fillimisht më 1997 dhe më pas dy runde zgjerimesh më 2000 – nga shumë në Kremlin është parë si akt armiqësor dhe kjo pjesërisht është përdorur si pretekst për pushtimin e Ukrainës.

Me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, që po sinjalizon për një qasje të re radikale ndaj raporteve evropiane – ai ka përsëritur ankesat se anëtarët e NATO-s nuk po shpenzojnë para të mjaftueshme në aleancë – është ndezur alarmi në Evropë se Shtëpia e Bardhë e Trumpit mund të pranojë kërkesat ruse.

/rtsh.al/