RTSH 24 Live

Botë

Hamasi kërkon shkëmbimin e të gjithë robërve në një fazë të vetme për një armëpushim të përhershëm

19/02/2025

Hamasi kërkon shkëmbimin e të gjithë robërve në një fazë të vetme për një armëpushim të përhershëm

Hamas ka propozuar një marrëveshje për shkëmbimin e të gjithë robërve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë në një fazë të vetme, duke shpresuar se ky veprim do të çojë në arritjen e një armëpushimi të përhershëm dhe një tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, tha se kjo do të ndodhë në kuadër të fazës së dytë të marrëveshjes së armëpushimit dhe se janë të gatshëm të përmbushin këtë marrëveshje nëse krijohen kushte për një armëpushim afatgjatë.

“Ne jemi gati për një fazë të dytë në të cilën të burgosurit do të shkëmbehen me një lëvizje të vetme, brenda kriterit të arritjes së një marrëveshjeje që çon në një armëpushim të përhershëm dhe një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës”, tha Qassem.

Kjo ofertë vjen pas kritikave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka kundërshtuar një lirim të robërve në faza të ndryshme dhe ka kërkuar që ata të lirohen të gjithë njëherësh.

Nga ana tjetër, Hamas ka hedhur poshtë kërkesën e Izraelit për çarmatosjen e Gaza-s, duke e cilësuar si një kusht "të papranueshëm" dhe si një "luftë psikologjike qesharake".

Faza e parë e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, pritet të përfundojë më 1 mars, ndërkohë që negociatat për fazat e mëtejshme të armëpushimit dhe një zgjidhje afatgjatë të konfliktit ende nuk kanë nisur. Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe grupe të të drejtave të njeriut kanë kritikuar trajtimin e robërve izraelitë dhe abuzimet ndaj të burgosurve palestinezë.

/rtsh.al/