RTSH 24 Live

Botë

Presidenti polak: SHBA nuk do të zvogëlojë numrin e trupave në Evropën Lindore

18/02/2025

Presidenti polak: SHBA nuk do të zvogëlojë numrin e trupave në Evropën Lindore

Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të zvogëlojnë numrin e trupave në Evropën Lindore, tha presidenti polak Andrzej Duda të martën pas një takimi me të dërguarin e administratës Trump për Rusi-Ukrainë, Keith Kellogg.

“Nuk ka absolutisht asnjë synim amerikan për të reduktuar aktivitetin këtu në pjesën tonë të Evropës. Sidomos, në aspektin e sigurisë, për të reduktuar numrin e ushtarëve amerikanë”, tha Duda në një konferencë për shtyp në Varshavë.

Ai shtoi se Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth tha më parë se Polonia mund të "presë  forcimin e pranisë amerikane".

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 10,000 personel amerikan në rotacion në Poloni, si pjesë e një grupi beteje të financuar përmes Iniciativës Evropiane të Parandalimit, sipas Departamentit të Shtetit .

Më vete, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ai diskutoi "rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për të garantuar garancitë e sigurisë për Ukrainën" gjatë takimit të tij të martën me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Zelensky tha gjithashtu në një postim në rrjetet sociale se ai është mirënjohës ndaj Turqisë për pritjen e ngrohtë dhe "qasjen absolutisht konstruktive në negociatat tona".

Erdogan tha gjithashtu se ai zhvilloi një telefonatë me shefin e NATO-s, Mark Rutte të martën, në të cilën ata diskutuan përpjekjet për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.

“Presidenti Erdogan deklaroi se Turqia kishte bërë më të mirën për t'i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, se do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj, se ka mbajtur kontakte me shumë liderë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë palët ndërluftuese, dhe se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme ishte e mundur,” sipas një deklarate nga presidenca turke. CNN

/rtsh.al/