RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjurmimi i tuberkulozit tek të imëtat, në mars nis vaksinimi për brucelozën

19/02/2025

Gjurmimi i tuberkulozit tek të imëtat, në mars nis vaksinimi për brucelozën

Gjurmimi i tuberkulozit prej muajsh është shtrirë në të gjithë qarkun e Kukësit, ndërsa fundi i muajit shkurt shënon përfundimin e këtij procesi.

"Gjurmimi i tuberkulozit ka filluar këtu në muajin tetor–dhjetor të vitit të kaluar dhe vazhdon deri në fund të muajit. Kjo nëse arrin të përfundojë, sepse në disa njësi, si Tropojë dhe Has, kemi pak veterinerë shërbimi në terren. Mund të spostohet deri në fillim të marsit," thotë specialisti i bujqësisë, Bajram Peposhi.

Përgjegjësi veterinar tregon rastet ku janë shfaqur me tuberkuloz dhe masat që janë marrë për to.

"Krerët që kanë rezultuar pozitivë janë eliminuar. Deri tani, në shkallë qarku, janë eliminuar me groposje 12 krerë gjedhë. Fermerët do të shpërblehen konform ligjit për shërbimin veterinar me vlerën e kafshës në treg," shton z. Peposhi.

Pas përfundimit të gjurmimit për tuberkulozin do të nisë vaksinimi për brucelozën, që do të zgjasë deri në fund të qershorit.

"Nuk mund të kemi blegtori të shëndetshme pa një vaksinim. Duke vaksinuar kafshët parandalojmë sëmundjen që mund të kalojë te njeriu. Në shkallë qarku do të vaksinohen 44 mijë krerë të imëta," tregon përgjegjësi veterinar.

Shërbimi veterinar u bën thirrje të gjithë blegtorëve që të qëndrojnë në kontakt me specialistët e terrenit për çdo problem në fermat e tyre.

Gazetar: Dashmir Shehu

/rtsh.al/