RTSH 24 Live

Aktualitet

Rama: “Mali i Tomorit”, një përvojë e jashtëzakonshme për të vizituar për atraksionet natyrore e objektet e kultit

15/02/2025

Rama: “Mali i Tomorit”, një përvojë e jashtëzakonshme për të vizituar për atraksionet natyrore e objektet e kultit

Kryeministri Edi Rama, ndau të shtunën në rrjetet sociale pamje me dëborë nga Parku Kombëtar “Mali i Tomorit”, i cili vazhdon të mbetet një destinacion i parapëlqyer turistik për tu vizituar, nga turistët vendas dhe ata të huaj.

“Parku Kombëtar “Mali i Tomorit” që çdo ditë pret grupe vizitorësh që ngjiten në lartësinë 2397m për përvoja të jashtëzakonshme dhe për të vizituar atraksionet natyrore e objektet e kultit”, ka shkruar  Rama në rrjetet sociale.

Vizita në Malin e Tomorit, është një aventurë në çdo stinë. Mali i Tomorit shtrihet në lindje të qytetit të Beratit dhe verilindje të qytetit të Çorovodës dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar. Aty nuk mungojnë ngjitjet sportive në shpatet me borë apo aventurierë të raftingut në kanionet e Osumit.

Poshtë Malit të Tomorit, rrjedh lumi Osum, i cili  duke zbritur nga terrene tepër të thepisura malore, ka krijuar kanionet e famshme, të cilat vizitohen kryesisht gjatë stinës së pranverës dhe verës.

Në këtë itinerar gjenden dhe disa objekte kulti të fesë së krishterë dhe bektashiane, si dhe monumente të natyrës dhe të kulturës, që ngjallin interes të vazhdueshëm nga vizitorë dhe turistë të huaj për t’u eksploruar, krahas sporteve të aventurës.

/rtsh.al/