RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet- Veliaj reagon sërish: Akuzat po i mësoj në burg, idiotësi e ruajtur si asi nën mëngë

18/02/2025

Hetimet- Veliaj reagon sërish: Akuzat po i mësoj në burg, idiotësi e ruajtur si asi nën mëngë

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia për arrestimin e tij dhe dosjes që e ngarkon atë me akuzat e “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”.

Veliaj i cilëson akuzat ndaj tij si idiotësi, duke argumentuar se fakti që lodrat e djalit të tij janë gjetur në shtëpinë e prindërve të bashkëshortes Ajola Xoxa, nuk e bëjnë atë pronar të banesës.

Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.

Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia.

Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.

Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.

Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë”, tha Veliaj.

Më tej, Kryebashkiaku në shkrimin e tij në rrjetin social Facebook, ka hedhur akuza ndaj prokurorit që e hetoi atë Ols Dado dhe gjyqtarit që firmosi urdhër arrestin ndaj tij, Erion Bani.

Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar.

Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij.

Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët - pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore”, mbyll shkrimin Veliaj.

Erion Veliaj mbahet aktualisht në paraburgim në Durrës, pas kërkesës së SPAK për akuzat e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave.

Në seancën e 12 shkurtit, Gjykata e Posaçme rikonfirmoi masën "arrest në burg" për Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa disa të tjerë morën masa të tjera, përfshirë detyrim paraqitje.

Për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, gjyqtari vendosi të zbusë masën, duke e kaluar nga arresti shtëpiak në detyrim paraqitje, ndryshe nga kërkesa e prokurorëve për vazhdimin e arrestit shtëpiak.

/rtsh.al/