Rreth 60 krerë shtetesh dhe qeverish do të mblidhen në Mynih të Gjermanisë në Konferencën vjetore të Sigurisë për të diskutuar konfliktet ndërkombëtare, sfidat gjeopolitike dhe marrëdhëniet transatlantike.
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Munih (MSC), e cila ka nisur sot punimet dhe do të vijojë deri më 16 shkurt, në krye të agjendës të punimeve do të ketë planin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për paqe në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme.
Sipas gazetares të RTSH-së, Denada Shkodrani, rreth 60 krerë shtetesh dhe qeverish po mblidhen në Mynih të Gjermanisë në një konferencë vjetore të sigurisë për të diskutuar konfliktet ndërkombëtare, sfidat gjeopolitike dhe marrëdhëniet transatlantike.
Sipas saj, intensive parashikohen të jenë 48 orët në vijim, ku në këtë konferencë do të jenë të pranishëm Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
“Ndërkohë është paralajmëruar nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump që gjatë zhvillimeve të Konferencës do të diskutohet dhe një plan për paqen mes Rusisë dhe Ukrainës.”
Gazetarja e RTSH raporton se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur rreth mesditës në Mynih, por ende nuk ka detaje në lidhje me diskutimet që priten të zhvillohen me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Ndërkohë në këtë konferencë do të jetë i pranishëm dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, se bashku me ministrat, Pirro Vëngu dhe Igli Hasani.
Sipas gazetares Shkodrani, parashikohet se gjatë qëndrimit të tij dy ditor në Mynih, Rama të ketë takime të posaçme, përfshirë këtu dhe takime të nivelit të lartë ku pritet të diskutohet dhe plani i paqes dhe sigurisë jo vetëm ndërmjet dy vendeve në konflikt sikurse janë Rusia dhe Ukraina por edhe një plan paqe për Lindjen e Mesme.
Sakaq, ajo tha se, Rama pritet të jetë në një panel së bashku me lider të tjerë ndërkombëtar që do të jenë të pranishëm në konferencën e 61-të Sigurisë dhe Paqes.
Më tej, theksoi se, “gjithashtu pritet të tjera diskutime që kanë të bëjnë me zhvillimet në rajonet e tjera , por edhe situatën në Ballkanin Perëndimor.
Ndër të tjera gazetarja e RTSH-së që do të ndjek nga afër punimet e kësaj konference dy ditore shtoi se, "kryeministri Edi Rama do të ketë dhe takime dy-paleshe me homologët e tij."
/rtsh.al/