RTSH 24 Live

Sociale

Viti i Femicidit/ Aktivistja: Vetëm respektimi i ligjit dhe fuqizimi real i gruas mund ta ndalin këtë “dorë vrasëse”

06/12/2023

Viti i Femicidit/ Aktivistja: Vetëm respektimi i ligjit dhe fuqizimi real i gruas mund ta ndalin këtë “dorë vrasëse”

Vrasja e Liridona Ademajt, krim i organizuar nga bashkëshorti i saj, ka tronditur opinionin publik, duke shkaktuar reagime të forta. Ngjarja e rëndë u diskutua edhe në emisionin “Klubi 5” në Radio Tirana, ku në një lidhje direkte, redaktori i Radiotelevizionit të Kosovës e konsideroi vrasjen të paprecedentë.

Ngjarje e paprecedentë për shkak të mënyrës së organizimit, ekzekutimit, varrimit dhe rivarrimit. Opinioni në të gjitha nivelet është i tronditur thellë. Sot parashikohet një protestë, marshim në mbrëmje. Do të kërkohet, ndalimi i dhunës ndaj grave”, tha ai.

Të paktën 22 gra të vrara gjatë vitit 2023, është kjo statistika që gazetari Rezear Xhaxhiu, raportoi nga mikrofoni i emisionit “Klubi 5”. E pranishme në studion e “Klubit 5” Sevim Arbana, Aktiviste e Shoqatës “Në Dobi të Gruas Shqiptare” tha se një grua vritet çdo 17 ditë nga partnerët e tyre, kudo ku jetojnë.

Ne shoqëria jemi shkaku dhe pasoja. Politikisht kemi kaluar nga një diktaturë bardhë e zi, në një demokraci me ngjyra që është edhe më e rrezikshme. Pra jetojmë dhunë politike, krizë morali, krizë vlerash, shpërbërje të familjes dhe heshtje së shoqërisë civile. Një grua në tre, sipas statistikave, dhunohet në Shqipëri dhe rajonet shqipfolëse. Një grua në çdo 17 ditë vritet nga partnerët e tyre, kudo ku jetojnë e punojnë, Itali, Greqi, Gjermani, Amerikë. Pavarësisht vendit ku jetojnë, mbartin mentalitetin patriarkal, “gruaja është pronë e burrit”. Çdo emigrim apo migrim i sjell ata fizikisht në një habitat tjetër, por mendërisht mbeten ata që janë. Shoqëria e hapur i gjen të papërgatitur, Tirana është ruralizuar, në vend që të urabanizohej prej migrimit të pakontrolluar. Nuk komportohen kulturalisht”, u shpreh ajo.

Jemi të pashpresë? Kështu e shtroi pyetjen e tij gazetari Xhaxhiu, në kërkim të një përgjigje, se kur mund të marrë fund kjo çmenduri?! Arbana tregoi se cilat janë kushtet që do të mbanin nën kontroll “dorën vrasëse”.

Së pari ligji dhe vetëm ligji, respektimi i tij. Fakti se deri më tani ligji është shitur e blerë, apo korruptuar vendime, i jep shpresë çdo vrasësi se do t’ia hedhë sistemit. Së dyti, fuqizimi real i gruas kemi gra në politikë dhe poste drejtuese në nivelet më të larta, por rruga qe i ka çuar atje është jo realiste, ndaj gratë në këto nivele s’kanë zë. Varfëria, pamundësia, shpërbërja e familjes. Ngutja për të djegur etapat, për të arritur në mirëqenie ekonomik, i bën individët agresiv. Së fundi organizatat e Shoqërisë Civile për gratë janë në kolpas, nuk është më roje publike”, theksoi ajo.