RTSH 24 Live

Sociale

Viti i ardhshëm shkollor nis më 12 shtator! Nxënësve u shtohen 1 javë pushime në prill

11/05/2022

Viti i ardhshëm shkollor nis më 12 shtator! Nxënësve u shtohen 1 javë pushime në prill

Viti i ardhshëm shkollor për arsimin parauniversitar, shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, do të fillojë me datë 12 shtator. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ku bën me dije po ashtu se është nënshkruar struktura e vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë arsimin parauniversitar.

Në strukturën e re të miratuar, nxënësve i janë shtuar edhe një javë më shumë pushime në prill, nga data 3-9 prill 2023. Për ministren Kushi, këto ditë ju nevojiten nxënësve për të pushuar dhe për të marrë energji të reja.

“Të dashur nxënës dhe mësues, ju njoftoj se sapo nënshkruam strukturën e vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë arsimin parauniversitar, i cili fillon më datë 12 shtator 2022. Për nxënësit dhe mësuesit e arsimit 9-vjeçar lajmi i mirë është se vitin e ardhshëm do të kenë edhe një javë më shumë pushim pas periudhës së dytë mësimore, nga data 3-9 prill 2023. Në këto ditë nxënësit do të pushojnë por edhe luajnë dhe argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e fundit, ndërsa mësuesit do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve dhe përgatitjet në vijim. Suksese të gjithëve!”, shkruan ministrja.

/rtsh.al/