Uragani "Milton" goditi Floridën të mërkurën, duke lënë pas disa të vdekur dhe shumë dëme materiale. Stuhia e rrezikshme goditi me fuqinë e një uragani të kategorisë 3.
Stuhia goditi bregun perëndimor të Floridës pranë qytetit të Sarasotës mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar erëra të forta, me një shpejtësi prej 205 kilometrash në orë.
Para se të mbërrinte në tokë, uragani shkaktoi të paktën 24 tornado. Autoritetet thonë se disa njerëz vdiqën si pasojë e tornadove të cilat shkatërruan më shumë se 100 shtëpi
Autoritetet thonë se më shumë se 3.2 milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa energji elektrike.
Erërat e fuqishme dëmtuan çatinë e stadiumit Tropicana, të ekipit të njohur të bejsbollit "Tampa Bay Rays". Gjatë uraganit stadiumi po përdorej si qendër strehimi për ekipet urgjente.
Operacionet e kërkim-shpëtimit nisën para agimit.
“Kishim mbi 80 mijë njerëz në qendrat e strehimit natën gjatë goditjes së stuhisë. Shkallën e dëmeve do ta kuptojmë me kalimin e ditës. Kemi ekipe që në këto momente po vlerësojnë dëmet. Ekipet urgjente janë angazhuar gjatë gjithë natës për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Mund të themi se stuhia ishte e fuqishme, por fatmirësisht ky nuk ishte skenari më i keq”, tha Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis në komentet e tij të para sot në mëngjes pas stuhisë.
Reshjet e dendura të shiut sollën nivele të larta të ujit nga Bregu i Gjirit në zonat e ulëta të qyteteve Tampa, Shën Petersburg, Sarasota dhe Fort Majërs.
Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se mëngjesin e së enjtes "Milton" kishte fuqinë e një stuhie të kategorisë 1, ndërsa po kalonte në pjesën qendrore të Floridës.
Parashikuesit e motit paralajmëruan për “reshje shkatërruese të shiut dhe erëra të furishme” gjatë gjithë ditës, para se stuhia të dilte në Oqeanin Atlantik.
Shkencëtarja Hannah Cloke paralajmëron se ndryshimet klimatike do të shpeshtojnë dhe ashpërsojnë stuhi si uragani ‘Milton’.
"Do të ndikojnë edhe në llojet e uraganeve që do të përjetojmë. Ka disa dëshmi se ato do të jenë më të forta, me më shumë tornado dhe sigurisht, për shkak të ndryshimeve klimatike, do të ketë reshje më të furishme”, thotë ajo.
Shumë nga komunitetet që u goditën nga uragani "Milton" ende nuk e kanë marrë veten nga pasojat e uraganit "Helene" i cili muajin e kaluar shkaktoi vdekjen e mbi 200 personave dhe përmbytje të mëdha kryesisht në pjesën perëndimore të Karolinës së Veriut dhe në lindje të shtetit Tenesi.
"Milton" është tashmë uragani i pestë më i fuqishëm i regjistruar në Atlantik. Uragani më intensiv i regjistruar para tij ishte Wilma në vitin 2005, ndjekur nga "Gilbert" në vitin 1988, ai që njihet si uragani i Festës së Punës, i vitit 1935, si dhe "Rita" në vitin 2005.
/ rtsh.al /