RTSH 24 Live

Botë

U qëllua me armë, del nga gjendja e rrezikut kryeministri sllovak

16/05/2024

U qëllua me armë, del nga gjendja e rrezikut kryeministri sllovak

Kryeministri sllovak Robert Fico ka dalë nga gjendja e rrezikshme për jetën. Lajmi u komunikua nga zv.kryeministri Tomas Taraba i cili bëri me dije më tej se operacioni ka shkuar mjaft mirë.

Një ditë më parë (15 maj) Fico u qëllua me armë nga një distancë mjaft e afërt duke marrë pesë plumba. Fico ishte në gjendje të rëndë për jetën, por pas operacionit gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e djeshme, ku kryeministri 59-vjeçar u qëllua jashtë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit, teksa po takohej me mbështetësit e tij.

Autori i sulmit u  arrestua, por ende nuk janë zbardhur motivet e ngjarjes.

Paraprakisht dyshohet se autor është një shkrimtar dhe aktivist politik 71-vjeçar i cili nuk pajtohet me politikën e qeverisë dhe qëndrimin e saj ndaj medias shtetërore.

Të shtënat ndodhën në ditën kur parlamenti filloi të diskutonte propozimin e qeverisë për të shfuqizuar transmetuesin publik të Sllovakisë RTVS.

Për ngjarjen kanë reaguar liderët botëror, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama i cili e konsideroi sulmin “të tmerrshëm”.

/rtsh.al/