Ushtria izraelite tha të enjten se forcat ajrore të vendit kishin sulmuar rreth 150 objektiva në Rripin e Gazës dhe Liban brenda 24 orëve të fundit.
“Objektivat ishin organizata militante palestineze Hamas dhe milicia shiite libaneze Hezbollah”, sipas një deklarate të ushtrisë.
Sipas ushtrise izraelite sulmet shënjestruan infrastrukturën terroriste, qendrat komanduese, depot e armëve, postet e vëzhgimit dhe raketat që kërcënojnë shtetin e Izraelit.
“Të mërkurën, një celulë e Hezbollahut u vra në një sulm ajror në veri të qytetit port libanez të Tiros”, tha ushtria.
Ushtria izraelite tha se Hezbollahu gjuajti gjithsej rreth 60 predha nga Libani në Izrael të mërkurën. Disa persona u raportuan të plagosur.
Milicia, aleate me Iranin, ka sulmuar kundër Izraelit që nga fillimi i luftës në Gazë – më shumë se një vit më parë.
Izraeli u përgjigj me sulme masive ajrore dhe që atëherë ka nisur një ofensivë tokësore.
Për t’i shpëtuar luftimeve, rreth 1,4 milionë njerëz janë zhvendosur tani në Liban, një vend me një popullsi prej rreth 6 milionë banorësh.
Sipas burimeve libaneze, gjithsej 2 822 njerëz janë vrarë dhe 12 937 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i luftimeve më shumë se një vit më parë. Ndër të vdekurit janë 555 gra dhe 166 të mitur.
Ushtria izraelite vlerëson se rreth 2 000 luftëtarë të armatosur janë vrarë në Liban që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 1 200 që nga fillimi i ofensivës tokësore.
Izraeli tha se 64 persona janë vrarë në veri të Izraelit nga Libani që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 32 civilë, dy të huaj dhe 30 ushtarë.
/ rtsh.al /