SHBA-ja tha se deri në 8 000 ushtarë të Koresë së Veriut ndodhen pranë kufirit me Ukrainën dhe mund të dislokohen nga Rusia në ditët në vijim.
“Ne tani vlerësojmë se ka rreth 10 000 ushtarë të Koresë së Veriut gjithsej në Rusi, dhe informacionet më të fundit tregojnë se deri në 8 000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut”, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Ne nuk i kemi parë ende këto trupa të dislokohen në luftime kundër forcave ukrainase, por ne presim që kjo të ndodhë në ditët në vijim”, shtoi Blinken.
“Dislokimi luftarak do t’i bënte trupat objektiva “legjitime” në luftë”, tha ai.
Është hera e parë në 100 vjet që Rusia ka ftuar trupa të huaja në vendin e saj. Mbetet e paqartë nëse ushtarët e Koresë së Veriut mund të dislokohen për të luftuar në territorin ukrainas ose në zonat e Rusisë të pushtuara nga Ukraina, e cila përfshin disa pjesë të Kurskut.
Sipas diplomatëve të OKB-së, është gjithashtu e mundur që koreano-veriorët të vendosen prapa vijës së frontit për të kryer detyra logjistike, për shembull.
Inteligjenca e Koresë së Jugut tha më herët se trupat e Koresë së Veriut në Rusi kishin veshur uniforma ruse dhe u ishin dhënë identitete të rreme për të fshehur origjinën e tyre të vërtetë.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka mohuar praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut dhe ka theksuar se Ukraina ka përdorur edhe personel nga vendet e NATO-s.
/rtsh.al/