RTSH 24 Live

Sociale

Tushemishti, perla e Pogradecit - Fshati turistik i mbushur nga turistët vendas dhe të huaj

24/07/2024

Tushemishti, perla e Pogradecit - Fshati turistik i mbushur nga turistët vendas dhe të huaj

Fshati turistik i Tushemishtit në Pogradec edhe këtë fillim jave ka qenë në fokusin e turisteve vendas dhe të huaj. Kulinaria, tradita, prodhimet tradicionale bëjnë që ky vendbanim të jetë më i preferuar për turistët. Vizitorët në këtë fshat kanë mundësinë të bëjnë foto edhe me monumentin e Violeta Manushit nën rolin e “teto Ollgës”.

“Tushemishti na i ofron të gjitha, sigurinë e natyrës, tradicionalen sepse ka shumë gra që punojnë punë dore, ka shumë turistë që vizitojnë , zbukurojnë dhe prekin bukuritë e vendit tonë”, u shpreh një turiste.

Të shumtë janë ata që lenë edhe jugun e vendit për fshatrat turistikë të Pogradecit, pasi çmimet dhe klima është më e favorshme.

“Ne vijmë nga Vlora, Selenica. Ishim në Voskopojë, Korçë dhe këtu na pëlqeu çdo gjë dhe Tushemishti është i veçantë dhe shumë bukur”, u shpreh një tjetër vizitor.

Ka nga ata turistë që janë besnik të Tushemishti dhe prej më shumë se 25 vitesh zgjedhin të rikthehen çdo verë.

“Kam mbi 20 vite që vijmë këtu, na pëlqen freskia, natyra, ushqimi çdo gjë për ne është perfek”, tha një tjetër vizitore.

Sipas vendasve fundjava është plotësisht e rezervuar në Tushemisht, ndërkohë që bujtinat janë të pronotuara nga vizitorë kryesisht nga Elbasani, Tirana, Lushnja etj.

Ndryshe nga Lini ku vizitorët e shumtë janë të huaj, në Tushemisht vendasit janë besnikët e zonës. Ndërkaq Pogradeci ndodhet në pikun e sezonit, kohë kur edhe numri i pushuesve është shume i lartë.

/RTSH/