RTSH 24 Live

Aktualitet

Dosja ‘Metamorfoza’, Strasburgu: Bisedat në rrjetet SKY Encrochat, prova të ligjshme në proceset gjyqësore  

10 orë para

Dosja ‘Metamorfoza’, Strasburgu: Bisedat në rrjetet SKY Encrochat, prova të ligjshme në proceset gjyqësore  

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë një goditje të fortë pretendimeve se marrja dhe përdorimi në proceset gjyqësore të komunikimeve të SKY Encrochat, shkel të drejtat themelore të njeriut.

Gjykata Evropiane vendosi të enjten se përdorimi i të dhënave të nxjerra nga SKY Encrochat, nuk shkel të drejtat themelore të njeriut. Ky vendim përfundimtar i hap rrugë përdorimit të këtyre bisedave në proceset gjyqësore që kanë nisur tashmë në një pjesë të madhe të vendeve të Evropës, përfshirë edhe Shqipërinë.

“Aplikacionet kishin të bënin me marrjen në distancë të të dhënave të përdoruesve nga mjeti i enkriptuar i telekomunikacionit EncroChat dhe ndarjen e tyre me autoritetet e zbatimit të ligjit në Mbretërinë e Bashkuar. EncroChat ishte një mjet i koduar i telekomunikacionit në telefon celular, për të cilin më shumë se 66,000 celularë ishin shpërndarë fshehurazi në 122 vende.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pretendimet për përgjimet e SKY u dërguan në Gjykatën e Strasburgut nga dy shtetas britanikë për të cilët në vendim nuk publikohen emrat. Dy britanikët paditën Francën që zbërtheu Kodin e SKY Encrochat se kishte shkelur privatësinë. Në padi dy shtetasit britanikë pretendonin se bisedat e tyre në aplikacion janë zbardhur falë një një procesi të parregullt të zhvilluar në Francë.

Por gjyqtarët në Strasburg, në mënyrë unanime, hodhën poshtë këto pretendime, duke i hapur dritën jeshile gjithë Evropës, se përdorimi i përgjimeve të Encrochat si indicie vlejnë si provave në proceset gjyqësore.

“Gjykata vuri në dukje se të dhënat e përdoruesit të EncroChat ishin mbledhur me iniciativën e autoriteteve franceze me anë të një mase për rikthimin e të dhënave që ishte urdhëruar në kontekstin e procedimeve penale të hapura nga divizioni i specializuar ndër rajonal i gjykatës penale të Lille. Të dhënat në lidhje me përdoruesit e EncroChat të vendosur në MB ishin transferuar, si prova tashmë në posedim të autoriteteve franceze, për t'u përdorur në çështje të tjera penale sipas një Urdhri Hetim Evropian (EIO) të lëshuar nga Shërbimi i Prokurorisë së Mbretërisë së Bashkuar. Kështu, të dhënat e marra në distancë ishin përfshirë si prova të prokurorisë në procedimet kundër të dy aplikantëve në MB.”, thuhet në njoftimin për shtyp të Gjykatës së Strasburgut.  

Gjykata arriti në përfundimin se kërkuesit në Francë kishin në dispozicion një mjet juridik me anë të të cilit ata mund të kishin kundërshtuar në mënyrë efektive masën e transferimit të të dhënave të marra në përputhje me EIO të lëshuar nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me masën e rikthimit të të dhënave.

Edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që është gjykata më e lartë e BE-së, rrëzoi një kërkesë të ngjashme për shpalljen të paligjshme të provave të siguruara nga Encrochat.

SKY Encrochat dhe procet penale në Shqipëri

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut i jep fund dhe pretendimeve të avokatëve në çështjet penale që janë hapur në Shqipëri, nëse komunikimet në aplikacionin SKY dhe EncroChat duhet të merren si prova në gjykatë.

Dosja “Metamorfoza” në Shqipëri zbuloi nëpërmjet komunikimeve në SKY dhe EncoChat, vrasje, planifikime vrasjes, etj. Anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, sipas akuzës, komunikonin mes tyre për të porositur atentate dhe ekzekutime mafioze.

Avokatët deklaronin se po cënoheshin të drejtat e njeriut dhe se përgjimet e  EncroChat dhe SKY s’duhet të merreshin për bazë. Pak muaj më parë mbrojtësi ligjor i Pëllumb Gjokës, Ylli Manjani deklaroi se në perëndim, të dhëna të tilla nuk pranohen si prova.

“Po të duan të hetojnë, të hetojnë, por ky nuk është standard. Me këtë standard nuk keni parë gjë akoma. Është standardi shumë i ulët i marrjes në përgjegjësi penale.”, tha Manjani.

Zbardhja e bisedave nga agjencitë ligj-zbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre. Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve.

/rtsh.al/