RTSH 24 Live

Aktualitet

Ministria e Brendshme nis punën për Observatorin Kombëtar të Drogave

12 orë para

Ministria e Brendshme nis punën për Observatorin Kombëtar të Drogave

Menjëherë pas kthimit nga Luksemburgu, ku Shqipëria çeli negociatat për grup-kapitujt ‘themelorë’ dhe u njoh zyrtarisht dhe me kriteret e ndërmjetme në Kapitullin 24 ‘Drejtësia, Liria dhe Siguria’, Ministria e Brendshme ka nisur punën për ngritjen dhe funksionimin e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm mbi Substancat e reja Psikoaktive dhe Observatorit Kombëtar të Drogave.

Të dhënat e këtij dikasteri bëjnë të ditur, se ministria e Brendshme po bashkëpunon me ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për hartimin e planeve konkrete që kanë të bëjnë me lëndët narkotike.

Këtë proces po e drejton zv.ministri, Besfort Lamallari, i cili ka mbledhur aktorët dhe faktorët për të diskutuar masat e nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e këtyre dy mekanizmave kyçe, në mbrojtje të qytetarëve dhe shëndetit publik.

Krijimi i këtyre mekanizmave pritet të përfundojë sipas marrëveshjes së arritur me Komisionin Evropian, ku viti 2025 është afati përfundimtar.

Më 15 shtator, Shqipëria çeli bisedimet për grup-kapitullin e parë për negociatat me Bashkimin Europian.

Grup kapitulli i parë, si një nga më të rëndësishmit, me Shqipërinë përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/