RTSH 24 Live

Rajon

Turqia ngushëllon Greqinë për aksidentin tragjik të përplasjes së trenave

01/03/2023

Turqia ngushëllon Greqinë për aksidentin tragjik të përplasjes së trenave

Turqia e cila aktualisht po përballet me tragjedinë e tërtmetit shkatërrimtar i ka shprehur ngushëllimet shtetit grek për tragjedinë e ndodhur gjatë natës ku 38 persona kanë humbur jetën deri më tani si pasojë e përplasjes së dy trenave.

Në njoftimin për median të Ministrisë së Jashtme të Turqisë shkruhet se Ankaraja zyrtare u shpreh ngushëllimet të afërmve të atyre që humbën jetën, ndërsa e uron për shërim të shpejtë të plagosurve.

 “Me dhimbje mësuam se shumë persona humbën jetën dhe u plagosën mbrëmë si pasojë e aksidentit të trenit në fqinjin tonë Greqi. Shprehim ngushëllimet tona për të afërmit e atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik si dhe për popullin dhe qeverinë greke dhe i urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shkrunhet në njoftimin për median të Ministrisë së Jashtme të Turqisë.

Treni IC62 ishte nisur nga Athina për në Selanik në momentin kur është përplasur me një tren mallrash në zonën e Evangelismos.  Në momentin e përplasjes, sipas të dhënave të publikuara nga kompania Hellenic Train , në bord ndodheshin rreth 350 pasagjerë. Kur treni ka nisur udhëtimin nga Athina, ka pasur 430 persona, por 80 prej tyre kanë zbritur në Larisa, ndërsa pjesa tjetër ka vazhduar rrugën deri në përplasjen e rëndë të dy trenave pranë qytetit Tempe.

Sakaq, autoritetet greke kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërsa po punohet për nxjerrjen e pasagjerëve të tjerë të ngecur në tren. Përpjekjet e zjarrfikësve janë fokusuar aktualisht në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve të cilët janë përmbysur dhe ku nxjerrja është edhe më e vështirë.

/rtsh.al/