I dërguari për misione të posaçme i presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell, ka bërë të ditur se miliarda të taksapaguesve amerikanë kanë shkuar në Ballkanin Perëndimor për organizata joqeveritare që kanë pasur në axhendën e tyre politika radikale.
Duke iu referuar të dhënave të “Kos_data”, Grennell i ka nxjerrë ato edhe në platformën ‘X’, ku Shqipëria figuron në listë krah Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka përfituar 189 milionë dollarë prej USAID-it për periudhën 2020-2024 me 537 milionë dollarë që kanë shkuar për Bosnje-Hercegovinën.
Grennell shkruan se milionat e dollarëve janë ndarë nga politikanët amerikanë në mënyrë të pamatur.
“Amerikanët punëtorë paguajnë taksa, politikanët në Washington DC, i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliarda u jepen OJQ-ve të krahut të majtë për të shtyrë politika radikale në shtete të tjera”, ka shkruar Grenell.
Me rikthimin e Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të ndalojnë ndihmat amerikane në vende të ndryshme të botës.
Trump ka vendosur t’i ngrijë të gjitha për 90 ditë, përveç ndihmës urgjente ushqimore dhe ndihmës ushtarake për Izraelin dhe Egjiptin.
/rtsh.al/