Lehtësim të procedurave dhe heqje të tatimit të dyfishtë dhe deri tek bërja aksioner i biznesit hotelier, janë propozimet që i janë dërguar qeverisë nga përfaqësuesit e sektorit të turizmit. Kryetar i Shoqatës së Hoteleri Turizmit, Zak Topuzi bën të njohura disa prej tyre.
“Ne duam që punonjësit tanë të jenë aksionerë në përfitim. Kjo është një praktikë që ndodh në hotelet e mëdhaja duke vendosur një çmim shërbimi dhe kjo të njihet nga sistemi fiskal në mënyrë që këto të ardhura të ndahen tek të gjithë punonjësit”, shprehet Topuzi.
Krijimi i komisionit të Turizmit, pranë Këshillit Ekonomik Kombëtar dhe mbështetja që qeveria ka premtuar që t’i ofrojë këtij sektori, ka sjellë që në tavolinën e diskutimeve të vijnë një numër i konsiderueshëm propozimesh të maturuara të sipërmarrësve turistikë:
“Pikat kryesorë ishin tatim i dyfishtë që lidhet me vendet që ka një marrëveshje me qeverinë për të mos paguar tatimin e dyfishtë. Pjesa e dytë lidhet me shpërblimet. Punonjësit me kohë të pjesshme të mos trajtohen si ata me kohë të plotë, por të ketë lehtësira fiskale. Ulja e komisioneve bankare e të tjera", tha ai.
Sektori i Turizmit ka shënuar rritje nga viti në vit në të ardhurat që i sjell ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave të biznesit, janë më shumë se 265 mijë të punësuar në zinxhirin e shërbimeve turistike dhe investimet vendase dhe të huaja në turizëm po njohin vetëm rritje. Për vitin 2024 parashikohen më shumë se 13 milionë vizitorë dhe rritje e kontributit të sektorit në Prodhimin e Përgjithshëm të Brendshëm.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/