Një ndër qytetet më të rëndësishme, që po bëhet vend tërheqës për t’u vizituar nga turistët, është Prizreni me histori dhe bukuri natyrore.
Lidhja e Prizrenit, Kalaja, Lumëbardhi, objektet e kultit dhe Prevalla po e bëjnë këtë qytet të vjetër një prej destinacioneve më të preferuara në Kosovë.
"Thuajse nga gjithë Evropa vijnë këtu. Synimi ynë është që të ketë më shumë fjetje në qytetin tonë, sepse deri tani kemi vetëm turistë ditorë," thotë Ramadan Tarashaj, drejtor i Turizmit në komunën e Prizrenit.
Ndërsa disa turistë përmendin thuajse të gjitha pikat turistike dhe veçori të tjera të Prizrenit.
“Mendoj se kalaja është shumë interesante, po ashtu edhe tri ndërtesat e ndryshme fetare këtu. Xhamia, kisha ortodokse dhe kisha katolike, është një qytet për t'u zbuluar,” shprehet një turist nga Spanja.
Ndërsa një turist tjetër nga Afrika thotë se “ajo që i tërheq turistët është bregu i lumit dhe shatërvani... Jam këtu për futboll, luaj për klubin e futbollit 'Liria'”.
Drejtori Tarashaj thotë se ky fluks turistësh e ndihmon në shumë drejtime këtë qytet.
"Sa më shumë turistë të kemi, aq më shumë ngrihet gastronomia dhe restorantet apo gjërat artizanale," thotë z. Tarashaj.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përveç Prizrenit, edhe Prishtina dhe Peja mbesin vendet më të vizituara në Kosovë.
Gazetare: Besjana Gërmizi
/rtsh.al/