RTSH 24 Live

Kosovë

Fillon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës

4 orë para

Fillon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në përfaqësi diplomatike.

Më 8 shkurt 2025 është votuar në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime dhe sipas të dhënave nga 20,324 votues të regjistruar kanë votuar 75.57% e tyre apo 15,352 shtetas të Kosovës që gjatë regjistrimit kishin përzgjedhur këtë mënyrë votimi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se procesi i votimit më 8 shkurt është organizuar në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.

“Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë.  Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net”, ka theksuar ai.

Tutje ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, planifikohet që të fillojnë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës.

“Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen. Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, ka bërë të ditur Elezi. RTK

/rtsh.al/