RTSH 24 Live

Kosovë

"Vetëvendosja fitoi zgjedhjet", Kurti pret që partia e tij të krijojë qeverinë e re

4 orë para

"Vetëvendosja fitoi zgjedhjet", Kurti pret që partia e tij të krijojë qeverinë e re

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha në mbledhjen e qeverisë, se partisë që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit i takon të formojë institucionet e reja të vendit.

"Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë nga ju të nderuar kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm," deklaroi z. Kurti.

Kryeministri i bëri thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur procesin e numërimit.

"Të gjithë presim nga Komisioni Qendror Zgjedhor edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik me pjesëmarrje masive të qytetarëve për çfarë falënderoj secilën dhe secilin," u shpreh kryeministri.

Z. Kurti vlerësoi edhe pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet e 9 shkurtit.

"Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë përveç votimit me post pati mundësinë të votojë edhe në ambasadat dhe konsullatat tona," tha z. Kurti.

Kosova mbajti zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt, ku morën pjesë mbi 40 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas rezultateve paraprake nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para dhe pas saj vijnë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, koalicioni AAK–NISMA dhe Lista Serbe.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/