Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar për mbylljen e qendrave serbe për punë sociale në veri të vendit. Përmes një postimi në “X”, ambasada amerikane e konsideron këtë si veprim “të pakoordinuar”, teksa shpreh shqetësim mbi marrjen e mase të tillë.
Ambasada thekson se veprime të tilla mund të ndikojnë negativisht në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe në marrëdhëniet me SHBA.
“Ambasada e SHBA-së është e shqetësuar nga mbylljet e papritura dhe të pakoordinuara të zyrave të mirëqenies së Serbisë në Kosovë. Veprimet e tilla ndikojnë negativisht në mijëra qytetarëve të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona bilaterale”, thuhet në reagim.
Katër objekte të Qendrës për punë sociale, të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb, u mbyllën të premten për shkak të dyshimeve nga autoritetet e Kosovës se aty mund të jenë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
/rtsh.al/