RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë, përfundon numërimi i votave për deputetët

22/02/2025

Kosovë, përfundon numërimi i votave për deputetët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka përfunduar më 21 shkurt 2025.

Numërimi ka përfunduar në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, ku janë shqyrtuar votat në të 2,533 vendvotimet e hapura më 9 shkurt, ku u zhvilluan zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, janë verifikuar votat e subjekteve politike, të cilat janë regjistruar në formularët e plotësuar në vendvotime pas përfundimit të numërimit të votave për kandidatët.

Gjithashtu KQZ bëri të ditur se javën që vjen do të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe ato nga votimi jashtë Kosovës. Numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

Kosova zhvilloi votimet më 9 shkurt për zgjedhjen e qeverisë së re, ku partia Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shumicën e votave 40,80 % e ndjekur nga PDK me 22,03 % dhe LDK me 17,63 %.

/rtsh.al/