RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha takim me diasporën në Greqi

3 orë para

Zgjedhjet e 11 majit, Berisha takim me diasporën në Greqi

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka zhvilluar të dielën një takim me diasporën në Greqi, ku kryefjalë e fjalës së tij ka qenë apeli që ata të votojnë PD me qëllim ndryshimin e Shqipërisë.

“Zëri më i fuqishëm, shpresa më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët jeni ju”, deklaroi Berisha para mbështetësve të tij.

Në fjalën e tij ai fillimisht theksoi se përulet me nderimin më të madh para qytetarëve grekë të këtij qyteti, sepse Athina, në këto vite, ka treguar zemrën më të hapur, bujarinë më të madhe ndaj shqiptarëve.

“Ajo ka sot shqiptarë më shumë se çdo kryeqytet dhe qyet tjetër jashtë Shqipërisë. Takimi me ju është takimi më prekës, më mallëngjyes, është takimi me sakrificën mbinjerëzore të njeriut. Ju, në një kohë kur diktatura kishte shndërruar kombin shqiptar në një rraskapitje të madhe thuajse fantazma, në një kohë kur ajo në dekada kishte vjell vrerë se asnjë komb tjetër fqinjin tonë mijëravjeçar, ju vërshuat drejt këtij vendi, për të gjetur shpëtim nga dhimbjet e tmerrshme që trashëgonte diktatura.”, theksoi Berisha.

 Sipas tij, shqiptarët në Greqi sfiduan çdo gjë, çdo mashtrim, çdo dezinformim dhe erdhën drejt një të panjohur, njerëz që profesionet e kërkuara nuk i kishin, por u pritët nga mikpritësit tuaj, qytetarët e këtij vendi dhe me një shpejtësi të rrufeshme, u shndërruan dora dorës në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik.

“Historia po përsëritet, ne jemi në sallën që mban emrin e një greko shqiptareje të famshme, Melina Mërkuri, Iren Papas të tjera do të dalin nga ju, me të cilat do krenohet Greqia dhe Shqipëria. Mirënjohja ime për ju dhe çdo shqiptari është e pakufishme, sepse erdhët këtu dhe një pjesë të mirë të fitimeve tuaja, ju i kaluat të familjet tuaja në Shqipëri. U bëtë pjesë e rëndësishme e investimeve dhe ndryshimit të Shqipërisë. PD u themelua në vitet 90 por ju s’duhet të harroni se mbështetësi i parë i opozitës shqiptare, ishte Konstandin Mitsotakis, i cili do të ishte kryeministri i parë që do të takonte lidershipin disa javor të PD-së.”, tha Berisha.  

Berisha për marrëveshjen e detit: Doa ta finalizojmë

Kreu i PD-së është zotuar për finalizimin e marrëveshjes së detit me Greqinë, ndërsa theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të jenë shumë më të mira.

Sipas tij, PD firmosi marrëveshjen e detit dhe ajo është marrëveshja më e mirë qe ka firmosur Shqipëria me fqinjët e saj.

“Do të ishte absurde të mendoje të firmosje ku Greqia të humbiste apo Shqipëria të humbiste. Ja pra që ka marrëveshje ku fitojnë të dy palët. Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë e Greqisë ranë dakord të shkonim në Hagë dhe të merrnim sanksionim. Çfarë bëri? Jo tha do bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan. Negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se nuk e firmosim dot se kemi një vendim të GJK. U garantoj ju se ajo marrëveshje do të finalizohet dhe marrëdhëniet Shqipëri Greqi do të jenë shumë më të mira.”, tha Berisha.

Berisha: Kushdo që kthehet për të investuar, 5 vjet pa taksa

Berisha, u premtoi emigrantëve shqiptarë në Greqi, se kushdo kthehet në Shqipëri dhe të investojë, do të ketë një periudhë 5-vjeçare pa asnjë taksë.

“Kushdo që nga ju kthehet do të ketë një periudhë 5-vjecare pa asnjë taksë. Secili prej jush që do të vijë të investojë, do të ketë mbështetje të plotë. Do të vendosim regjimin dhe subvencionet që ka Greqia dhe vendet e BE. Do punojmë fort për tu garantuar juve ruajtjen e gjuhës kudo që jeni, pensionet kudo që jeni, padiskutim. Jam i bindur se do i realizojmë, me qeverinë e këtij vendi, me dialog konstruktiv, kemi gjetur rrugëzgjidhje për çdo problem.”, tha ai.

Berisha foli për programin e PD-së, teksa siguroi se në 3 muajt e parë të ardhjes së PD-së në pushtet, mjerimi do të marrë fund në Shqipëri.

“Nuk do të ketë më varfëri ekstreme, familjarët tuaj nuk do të kenë më nevojë të blejnë ilaçe dhe kafshatën me paratë tuaja. I ka Shqipëria fondet, por ia marrin hajdutët. Do ta kthejmë Shqipërinë në një vend ku jetohet”, deklaroi kreu i PD-së.

/rtsh.al/