Friedrich Merz, i cili udhëhoqi Unionin e tij Kristian Demokrat të qendrës së djathtë (CDU) në një fitore të qartë zgjedhore, është i vendosur të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë.
I rrethuar në skenë nga kandidatë të tjerë kryesorë nga CDU dhe partia e saj motër bavareze, Unioni Kristian Social (CSU), Merz e vlerësoi të dielën si një "mbrëmje historike zgjedhore".
Duke folur pak pasi sondazhet e daljes treguan se partia doli në krye me rreth 29% të votave, Merz premtoi se do të nisë bisedimet për ndërtimin e koalicionit sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne zhvilluam një fushatë të ashpër zgjedhore për tema të rëndësishme, tani do të flasim me njëri-tjetrin. Ne duhet të veprojmë shpejt”, tha ai.
Nëse Merz do të ketë një shumicë për të formuar një koalicion me socialdemokratët e Scholz-it apo do të ketë nevojë për një partner të dytë gjithashtu do të varet nga sa parti do të hyjnë në parlament. Udhëheqësi konservator tha se “gjëja më e rëndësishme është të rivendoset një qeveri e qëndrueshme në Gjermani sa më shpejt të jetë e mundur”.
"Unë jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë," tha Merz. “Unë jam gjithashtu i vetëdijshëm për shkallën e detyrës që na pret tani. E trajtoj me respektin më të madh dhe e di që nuk do të jetë e lehtë”.
"Bota atje jashtë nuk na pret ne dhe nuk pret bisedime dhe negociata të koalicionit të zgjatura," u tha ai mbështetësve brohoritës. "Tani duhet të bëhemi të aftë për të vepruar shpejt përsëri."
Selia e Unionit Kristian Demokrat (CDU) u mbush me brohoritje dhe duartrokitje teksa u zbuluan sondazhet dhe u bë e qartë se partia opozitare do të bëhej grupi më i madh pas zgjedhjeve të së dielës.
Anëtarët e rinj të partisë po duartrokisnin dhe brohoritnin në selinë zgjedhore të CDU-së në Berlin, ndërsa partia dukej se ishte shfaqur si forca më e fortë në parlamentin e ardhshëm gjerman.
Selia e CDU-së, Konrad Adenauer Haus, është e mbushur me drejtues partiakë dhe gazetarë nga e gjithë bota. Partia kishte qenë prej kohësh favoritja për të marrë pjesën më të madhe të votave.
Trump: Kjo është një ditë e madhe për Gjermaninë
Presidenti Donald Trump ka komentuar në rrjetin e tij social Truth, rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani.
“Duket se partia konservatore në Gjermani ka fituar me diferencë të madhe. Ashtu si në SHBA, edhe gjermanët janë lodhur nga politika pa sens, veçanërisht në çështjet e energjisë dhe imigracionit, që ka mbizotëruar për shumë vite. Kjo është një ditë e madhe për Gjermaninë dhe për Shtetet e Bashkuara nën lidershipin e një zotërie të quajtur Donald Trump. Urime të gjithëve, shumë fitore të tjera do të vijnë”, ka shkruar Trump.
NATO reagon ndaj fitores së Merz
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte uroi Merz për fitoren e tij.
"Mezi pres të punoj me ju në këtë moment vendimtar për sigurinë tonë të përbashkët," shkroi Rutte në X.
“Është jetike që Evropa të përshpejtojë shpenzimet e mbrojtjes dhe lidershipi juaj do të jetë kyç.”
Një përmbledhje e asaj që ka ndodhur që nga mbyllja e qendrave të votimit në Gjermani:
- Partia konservatore CDU/CSU pritet të jetë partia më e madhe në parlamentin e ardhshëm gjerman me 30% të votave, sipas dy sondazheve të para.
- Friedrich Merz , i cili tani është në pole position për t'u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, e përshëndeti fitoren si një "fushatë të mrekullueshme zgjedhore" dhe tha se nuk ka kohë për të humbur në formimin e një qeverie.
- Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë (AfD) pritet të bëhet forca e dytë më e madhe, me një rekord 20% të votave, sipas exit polls.
- "Ne kemi marrë besimin e votuesve dhe kjo duhet të jetë diçka që të gjithë të tjerët e pranojnë gjithashtu," tha bashkëkryetari i AfD, Tino Chrupalla.
- Siç ishte parashikuar, ka qenë një natë e keqe për kancelarin gjerman Olaf Scholz , kreun e Social Demokratëve (SPD)
- Sholz tha se rezultatet e zgjedhjeve janë "të hidhura" për partinë e tij, duke e quajtur atë një "humbje"
- Vëmendja tani kthehet se me kë do të përpiqet Merz të krijojë një koalicion. Parashikimet e fundit sugjerojnë se ai nuk do të jetë në gjendje të mbështetet vetëm në SPD. Ai ka thënë më parë se nuk do të hyjë në një koalicion me AfD.
/rtsh.al/