RTSH 24 Live

Kosovë

15 ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, KQZ: Jemi brenda afateve, rezultatet maksimumi më 5 mars

24/02/2025

15 ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, KQZ: Jemi brenda afateve, rezultatet maksimumi më 5 mars

Kanë kaluar 15 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, por ende nuk është shpallur rezultati përfundimtar për subjektet politike dhe kandidatët. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tha në një deklaratë për mediat  se janë brenda afateve dhe se rezultatet pritet të publikohen maksimumi deri më 5 mars.

Sipas këtij plani, shpallja e rezultateve përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët është planifikuar të bëhet deri më 5 mars, ndërkaq, certifikimi i tyre, që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale në PZAP, organi që vendos për ankesat lidhur me zgjedhjet, dhe Gjykatë Supreme, është planifikuar të bëhet deri më 18 mars.

 “Vlerësojmë se KQZ-ja nuk është duke u vonuar, por po zbaton Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe aktet nënligjore. Këto detyrime ligjore nuk mund të tejkalohen  Në krahasim me proceset zgjedhore të viteve të kaluara, përgjegjësitë e KQZ-së në zgjedhjet që janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti janë shumëfish më të mëdha. Një përgjegjësi e madhe që më herët nuk ka ekzistuar, ishte numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendra Komunale të Numërimit dhe që u bë me transparencë të plotë. Gjithashtu, në Qendrat Komunale të Numërimit përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, është bërë edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime për të hequr të gjitha dilemat që janë krijuar në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, tha për mediat zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Kosova zhvilloi votimet më 9 shkurt për zgjedhjen e qeverisë së re, ku partia Lëvizja Vetëvendosje ka marrë shumicën e votave 40,80 % e ndjekur nga PDK me 22,03 % dhe LDK me 17,63 %.

/rtsh.al/