Troket viti 2025. Në Tiranë dhe thuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, qielli është ndriçuar nga fishekzjarret shumëngjyrëshe, duke përcjellë jo vetëm festimet e mirëseardhjes së 2025, por edhe urimet që viti 2025 të jetë sa më i mbarë për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.
Festimet për natën e Vitit të Ri në Tiranë kanë nisur që në orën 22:00 dhe kulmuan në mesnatë, në momentin e ndërrimit të viteve. Në sheshin ‘Skënderbej’ po zhvillohet edhe një koncert festiv me DJ që kanë ardhur për të mbajtur gjallë atmosferën dhe për të ftuar të gjithë qytetarët në shesh.
Numërimin mbrapsht për ikjen e vitit 2024 dhe hyrjen e vitit 2025, e ka bërë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ishte i pranishëm në Sheshin ‘Skënderbej’. Ai ka uruar të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të gjithë vendit për më shumë gëzim, shëndet, mbarësi dhe “më pak stërkëmbësha e xhelozi’.
“Nuk ka vend më të mirë, më të bukur dhe më të dashur se Tirana jonë. Tu japim duartrokitje atyre që kanë ardhur nga Kosova, Maqedonia, Presheva, Mali Zi, Amerika, Kanadaja, Zelanda e Re, Italia, Greqia. Mirënjohje policisë Rrugore dhe asaj Bashkiake, mjekëve dhe infermierëve, ata që do presin beben e parë, faleminderit! Është shumë e vështirë ta pranojmë suksesin, ndonjëherë ka xhelozi dhe stërkëmbësh, por progresin e Tiranës tonë s’e ndalon dot askush. Të punojmë më shumë e të bashkëpunojmë më shumë, si dhe të vemë stërkëmbësha më pak. Gati për numërimin mbrapsht, përqafoni atë që keni në krah, bashkohuni dhe uroni. Jepni të gjithë energjinë tuaj të mirë për qytetin tonë, për Tiranën tonë të madhe. Kjo është Tirana jonë.”, tha Veliaj.
Të shumtë kanë qenë ata të cilët e kanë pritur ardhjen e Vitit të Ri në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, por nuk ka munguar atmosfera festive edhe në rrethe të tjera të vendit.
Fieri pret ndërrimin e viteve me festë fishekzjarresh
Mijëra qytetarë dolën në shesh edhe në Fier dhe shumë të tjerë festuan me hedhje fishekzjarresh e kapsollash nga banesat dhe sheshet e lagjeve. Qielli ndriçoi, teksa qytetarët sfiduan temperaturat e ulëta.
Pati edhe një lajm të mirë paralel me festën në shesh. Në maternitetin e Fierit ka qenë një djalë fëmija i parë i vitit 2025, teksa ora shënonte 24:00. Mjekët thanë se fëmija ka lindur i shëndetshëm dhe erdhi në jetë nga një nënë nga Marinëza, 50 cm i gjatë dhe pesha 3650 gramë.
Shkodër, kryebashkiaku Beci dhe qytetarët presin ndërrimin e viteve në shesh
Edhe qielli në Shkodër u ndez në festën e ndërrimit të viteve nga fishekzjarret. Qindra qytetarë ishin të pranishëm në sheshin e qytetit dhe mes tyre edhe vetë kryebashkiaku, Benet Beci. Atmosfera festive u shoqërua nga hedhja e fishekzjarreve gjithandej dhe më pas nga koncerti festiv i organizuar me këtë rast.
/rtsh.al/