Apeli i GJKKO ka vendosur masën “detyrim paraqitje” 2 herë në muaj për kreun e PD-së, Sali Berisha. Apeli i Gjykatës së Posaçme shqyrtoi këtë të premte (3 janar) kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për rikthimin e tij në “arrest shtëpie”, por gjyqtari Engert Pëllumbi vendosi se Berisha duhet të paraqitet në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të muajit.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj e konsideroi vendimin si të paqartë, pasi sipas tij prokurori nuk kishte kërkesë për masë tjetër, por i qëndronte rikthimit të Berishës në “arrest shtëpie”.
“Ne jemi të paqartë në fakt në dispozitivin e këtij vendimi sepse objekt i këtij gjykimi ishte kërkesa për shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë, pra prokurori i qëndronte masës së ‘arrestit në shtëpi’, nuk kishte kërkesë tjetër. Vendimi nuk është zbardhur, por ky vendim është zgjidhja më e keqe që i është dhënë ndonjëherë sepse kjo nuk ka zgjidhur asnjë lloj problemi, përveçse ka hapur një tjetër kapitull. Ne sigurisht që do ta ndjekim”, u shpreh ai.
Një masë e tillë “detyrim paraqitje” është shkelur më parë nga Berisha, ndërsa i pyetur nëse do ta zbatojë apo jo këtë herë këtë detyrim, Gjokutaj tha se vendimi i përket ish-kryeministrit.
“Ne nuk kemi lexuar vendimin dhe nuk bëjmë parashikime. Vendimmarrja është e zotit Berisha. Ky është vendimi për tani dhe ju them që ne nuk e kemi të qartë këtë vendim. Prokurori nuk ka bërë ndonjë kërkesë për ndonjë masë tjetër sigurimi, ata i qëndrojnë arrestit në shtëpi. Është vendim i pakuptueshëm dhe krejt i çuditshëm. Gjykatat nuk dalin nga objekti i gjykimit, nuk e di si e ka vlerësuar gjykatësi”, tha avokati.
Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, u lirua më 27 nëntor të vitit të kaluar nga “arresti i shtëpisë”, ku qëndronte prej gati një viti. Masa ndaj Berishës u vendos më 30 dhjetor të vitit 2023, pasi ish-kryeministri kishte refuzuar detyrimin për t'u paraqitur.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij lidhur me ish kompleksin Partizani.
/rtsh.al/