RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjadri në pritje të riaktivizimit të marrëveshjes me Italinë. Kampi funksional, ndonëse bosh

03/01/2025

Gjadri në pritje të riaktivizimit të marrëveshjes me Italinë. Kampi funksional, ndonëse bosh

Teksa riaktivizimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët pritet të ndodhë brenda këtij muaji, qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës janë gati për të rinisur funksionin. Pas vendimit të gjykatës italiane, e cila i dha të drejtë qeverisë, duke u shprehur se është kjo e fundit që i përcakton vendet e sigurta, në kampin e Gjadrit dhe qendrën pritëse të Shëngjinit kanë nisur përgatitjet për pritjen e kontingjentit të emigrantëve të cilët pritet të mbërrijnë në brigjet e Shëngjinit.

Vëmendja më e madhe është e përqendruar tek kampi i Gjadrit, i cili pavarësisht pengesave të drejtësisë italiane, vijon të jetë i hapur, konform rregullave dhe protokollit të përcaktuar. Kampi ruhet përgjatë 24 orëve nga karabinierët italianë të cilët qëndrojnë në ambientet e brendshme, si dhe policia shqiptare e cila është vendosur përreth tij. Ndërsa numri i punonjësve të tjerë shqiptarë dhe italianë pritet të shtohet me vënien në funksion të kësaj strukture, e cila është ngritur për pritjen e emigrantëve.

Pas dështimit të dy operacioneve të para në tetor dhe nëntor, kjo provë e tretë e qeverisë italiane po shihet me mjaft interes nëse marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët do të funksionojë, pasi vetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni është shprehur e vendosur për realizimin e këtij objektivi, që sipas saj është përshëndetur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta është Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse, ndërsa në Gjadër është ngritur kampi ku emigrantët do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

/rtsh.al/