RTSH 24 Live

Rajon

Tragjedia nga përplasja e trenave në Greqi, dëshmia tronditëse e pasagjeres: Pashë flakë gjithandej dhe gratë që ulërinin

01/03/2023

Tragjedia nga përplasja e trenave në Greqi, dëshmia tronditëse e pasagjeres: Pashë flakë gjithandej dhe gratë që ulërinin
Pasagjerja Eleni Karadiamantis duke rrëfyer tragjedinë nga përplasja e trenave në Greqi

Pashë flakë gjithandej, pashë copa metali të shkrirë prej vagonëve dhe shumë nga njerëzit tanë humbën jetën, nuk patën kohë të dilnin”.

Kjo është një nga dëshmitë tronditëse e një prej pasagjerëve të trenit që u përplas mbrëmë vonë në zonën e Evangelismos  të Greqisë duke shkaktuar 32 viktima.

Ajo thekson më tej se ka qenë një frenim i fortë që e ka zgjuar, teksa shumica e pasagjerëve ishin në gjumë.

E humba në fillim, si shumica e pasagjerëve, por u përpoqa të ruaja gjakftohtësinë për të ndihmuar pasagjerët të dilnin nga vagonët. U bëmë bashkë për të ndihmuar të tjerë. Shumë nuk e kuptuan se çfarë kishte ndodhur saktësisht sepse ishin në gjumë. Edhe unë flija dhe më zgjoi një frenim i papritur. Por e kuptuam më vonë se çfarë ndodhi dhe u përpoqëm të dilnim nga vagoni. Kur dolëm, pamë vetëm kaos”, është shprehur pasagjerja Eleni Karadiamantis, transmeton CNN-i, grek.

Karadiamantis tregon se më pas ka përqafuar vajzën e saj sapo ka dalë nga treni.

 “Po mundohesha ta kontaktoja, por asaj i kishte humbur celulari. Për fat të mirë, një koleg ishte me të dhe e ndihmoi të dilte nga vagoni. Ende nuk mund ta besoj atë që ka ndodhur, është vërtet tragjike”, u shpreh ajo.

Vajza e Karadiamantit u shtrua në spital. Ajo kishte marrë goditje në shpinë. Zjarrfikësit arritën ta nxirrnin nga vagoni me litarë.  

Gratë qanin, bërtisnin dhe për fat dikush arriti të hapte derën dhe ne dolëm. Kishte shumë tym. U përpoqa të afrohesha me vagonët e parë dhe gjithçka ishte një kaos”, tha një tjetër prej të shpëtuarve.

Gjatë natës pesë autobusë transportuan 194 të mbijetuar nga vendi i aksidentit tragjik drejt stacionit hekurudhor të Selanikut. 26 prej tyre u transferuan fillimisht në AHEPA dhe 32 të tjerë në Spitalin Gennimatas.

Disa prej tyre tashmë kanë dalë nga spitali pas dhënies së ndihmës së parë.

/rtsh.al/