Kanë nisur hetimet mbi tragjedinë që tronditi Greqinë orët e para të mëngjesit të 1 marsit, ku dy trena u përplasën me njëri-tjetrin e për pasojë 32 persona humbën jetën dhe 85 të tjerë u plagosën, 66 prej të cilëve ndodhen të shtruar në spital.
Treni i pasagjerëve që shkonte drejt Selanikut u përplas kokë më kokë me një tren tregtar që po shkonte në drejtim të kundërt. Dy trenat, u gjetën në rrethana ende të panjohura duke lëvizur në të njëjtën binar, gjë që çoi në përplasjen e rëndë. Sakaq, sipas Kathimerini, Presidentja Katerina Sakellaropoulou, kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Kostas Ach, janë nisur drejt vendngjarjes, në Tempi. Presidenti i Syriza, Alexis Tsipras e ka konsideruar ngjarjen si një tragjedi, ndërsa u ka shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.
“Të tronditur nga tragjedia e patregueshme në Tempe. E paimagjinueshme ajo që ndodhi. Mendimet tona për njerëzit që janë zhdukur gabimisht. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe mbështetje për të lënduarit”, shkruan Tsipras në rrjetin social Twitter.
Pas procesit të identifikimit të 32 viktimave në Spitalin e Përgjithshëm të Larisës, ministri i Shëndetësisë Thanos Pleuris deklaroi se ndodhej jashtë spitalit, prej nga ku siguroi se shumica e të lënduarve janë në gjendje të stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq, për aksidentin fatal ka reaguar dhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e cila po ashtu u shprehu ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave.
“Trishtim i thellë pas aksidentit të tmerrshëm të trenit pranë Larisës në Greqi. Ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha viktimat, familjet dhe miqtë e tyre. Mirënjohje për të gjithë shpëtimtarët dhe personelin mjekësor në zonë. Mendimet tona janë me popullin grek pas kësaj ngjarje tragjike”, shkroi ajo në rrjetin social Twitter.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka deklaruar se e gjithë Europa sot është në zi, pas tragjedisë së ndodhi në Larisa të Greqisë. Von der Leyen u uroi shërim të shpejtë të lënduarve dhe shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.
“Mendimet e mia janë me njerëzit e Greqisë pas aksidentit të tmerrshëm të trenit që mori kaq shumë jetë mbrëmë pranë Larisës. E gjithë Europa është në zi me ju. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit. Jemi pranë jush”, shkruan Von der Leyen.
/rtsh.al/