RTSH 24 Live

Kosovë

Tensionet në veri/ Borrell thirrje Kosovës: Ndaloni menjëherë përshkallëzimin e situatës, të gjendet zgjidhje përmes dialogut

30/05/2023

Tensionet në veri/ Borrell thirrje Kosovës: Ndaloni menjëherë përshkallëzimin e situatës, të gjendet zgjidhje përmes dialogut

Situata në veri të Kosovës është paraqitur e qetë gjatë natës dhe mëngjesit të kësaj të marte (30 maj). Normalizimi i situatës erdhi pas tensioneve dhe dhunës së ushtruar një ditë më parë (29 maj) ndaj trupave të KFOR në Zveçan të Kosovës, ku në përleshjet e rënda midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë mbetën të plagosur 25 ushtarë.

Lidhur me këtë ngjarje, reagoi dhe Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell i cili ka dënuar dhunën ndaj trupave të KFOR në veri të Kosovës. Me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, Borrell u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që të ndalojnë përshkallëzimin e situatës dhe palët të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

BE-ja dënon dhunën tronditëse të sotme në #Zveçan në termat më të ashpër të mundshëm. Veprat e dhunshme të kryera ndaj @NATO_KFOR trupat, mediat, civilët dhe policia janë absolutisht të papranueshme.

BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që menjëherë dhe pa kushte të de-përshkallëzojnë situatën. Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes Dialogut”, shkruan Borrell.

Prej ditësh në Kosovë vijojnë protestat ndaj 3 kryetarëve të komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Protestat u shoqëruan me tensione, ku ditën e djeshme (29 maj) 25 ushtarë të KFOR-it, u plagosën në përleshjet e rënda midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë.

/rtsh.al/