Dyzet e një ushtarë të KFOR-it, duke përfshirë 11 italianë, u plagosën në përleshjet e rënda midis trupave të NATO-s dhe demonstruesve serbë në Zveçan, në veri të Kosovës, njofton ANSA.
Nga 11 italianët e plagosur, tre janë të rëndë, por jo në rrezik për jetën, njfton ANSA nga burime të informuara.
KFOR-i kishte ndërhyrë për të shpërndarë demonstruesit serbë të cilët po demonstronin para bashkisë lokale për të protestuar kundër inaugurimit të kryetarit të ri të komunës së përkatësisë etnike shqiptare.
Ushtria përdori granata trullosëse, ndërsa demonstruesit hodhën gurë, shishe dhe objekte të tjera ndaj trupave të NATO-s.
Zveçani është një nga katër komunat më të mëdha me shumicë serbe në veri të Kosovës nën udhëheqjen e së cilës kryetarët e rinj shqiptarë etnikë u zgjodhën më 23 prill për shkak të bojkotit zgjedhor të serbëve.
Protesta të ngjashme po zhvillohen edhe në Zubin Potok dhe Leposaviq.
Disa nga ushtarët italianë të plagosur janë goditur me koktej molotovi apo mjete të tjera ndezëse.
Situata është ende e tensionuar dhe po frenohen skajet më të dhunshme të demonstruesve.
Mëngjesin e së hënës misioni i NATO-s KFOR-i tashmë kishte shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës dhe u kishte bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione ose të shkaktojnë përshkallëzim.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, është në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin Eulex dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar.
KFOR-i gjithashtu i kërkoi Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian për të ulur tensionet, e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.
“Dua të shpreh solidaritetin me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve mes demonstruesve serbë dhe policisë kosovare. Mes tyre 11 italianë, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën. Ushtarët italianë vazhdojnë të angazhohen për paqen” shkruan në Twitter ministri i jashtëm italian Antonio Tajani.
Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto u shpreh në Twitter se “gjendej pranë dhe uronte shërim të shpejtë për ushtarët italianë, hungarezë dhe moldavë, pjetarë të e KFOR-it, të plagosur në përleshjet në Kosovë”.
( Marrë nga ANSA )