RTSH 24 Live

Kosovë

Hyseni: 28 Nëntori na kujton krenarinë e kombit tonë

4 orë para

 Hyseni: 28 Nëntori na kujton krenarinë e kombit tonë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni,  bashkë me nënkryetaren, Leonora Morina Bunjaku, zv. ministrin e  Mbrojtjes, Shemsi Syla kanë marrë pjesë në aktivitetet në Komunën e Gjilanit për nder të 112 vjetorit të Ditës së Flamurit.

Hyseni tha se 28 nëntori na kujton krenarinë e kombit tonë, duke lidhur bashkë ngritjen e flamurit nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Sot, me krenari nderuam këtë ditë të madhe përmes seancës solemne, homazheve për dëshmorët, dhe vendosjes së gurthemelit për bustin e Hamdi Zymberit, një simbol i qytetit tonë", tha Alban Hyseni.

Sipas tij një moment i veçantë ishte edhe performanca e mrekullueshme nga fëmijët në Teatrin e Qytetit, të cilët përmes akrobacioneve dhe artit na sollën një mesazh frymëzimi dhe krenarie.

Në fjalën e tij pas homazheve te varrezat e dëshmorëve, kryetari Alban Hyseni, tha se këtu prehën ata që nuk u dorëzuan kurrë, ata që zgjodhën të luftonin me guxim për një Shqipëri të lirë, për njjë Kosovë të pavarur dhe për një komb shqiptar krenar e të bashkuar.

“Kjo ditë e shënuar ka një domethënie të veçantë”, tha Alban Hyseni.

I pari i Gjilanit, shtoi se dëshmorët që prehën këtu dhe kudo në trojet shqiptare, janë dëshmi e forcës e vendosmërisë së një populli që nuk u pajtua me padrejtësitë.

Më tej kryetari theksoi se përpara sakrificës së tyre ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë. Ata na kujtojnë përherë se liria nuk është e dhënë, por fitohet me guxim, gjak dhe sakrifica.

"Detyra jonë sot është që të ruajmë me dinjitet atë për të cilën ata e dhanë jetën, të forcojmë unitetin kombëtar dhe të  punojmë pê të ardhmen e brezave që vijnë pas nesh", tha Hyseni.

Kryetari i Gjilanit, theksoi se ky flamur që valëvitet i lirë mbi Shqipërinë e Kosovën, është amaneti i tyre, por njëkohësisht edhe krenaria jonë.

Zëvendësministri i Mbrojtjes Shemsi Syla, në emër të Qeverisë së Kosovës, tha se  jemi mbledhur sot të bashkuar për të shënuar 112 vjetorin e pavarësisë, daljes në skenë të UÇK-ë  dhe të ditëlindjen e kryekomandatit legjendar Adem Jashari.

Më pas vizita ka vijuar me homazhe te varrezat e dëshmorëve, vendosjes së gurthemelit për bustin e Hamdi Zymberit, një simbol i qytetit.

/rtsh.al/