Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u ka bërë thirrje mediave dhe aktorëve publikë që të mos publikojnë përmbajtjen e dosjes 138 që lidhet me goditjen e organizatës kriminale të Suel Çelës që vepronte në Elbasan, ku u vendosën në pranga ish-gjyqtarë, ish-prokurorë dhe avokatë, në kuadër të operacionit që SPAK zhvilloi pak ditë më parë pas zbërthimit të bisedave në SKY ECC.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u bën thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), datë 22.11.2024 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” për çështjen penale nr. 138 dhe legjislacionin për mbrojtjen e sekretit hetimor. Çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.
Në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të ruajtur sekretin hetimor dhe për të ndaluar publikimin e akteve hetimore, GJKKO në vendimin e saj ka urdhëruar që: “26. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale urdhërohet ndalimi i publikimit të kërkesës së prokurorisë, përmbajtjes së saj si dhe i akteve që lidhen me çështjen deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalohet tërësisht publikimi i këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.” Mosrespektimi i urdhërimit të përcaktuar në pikën 26 të dispozitave të këtij vendimi përbën vepër penale të përcaktuar në nenin 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal, me titull “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK, pas dhënies dhe marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse “është vënë re se pjesë të tij janë bërë publike në media, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës dhe kuadrin ligjor. Të gjithë personave nën hetim ju është përcjellë kopja e vendimit të gjykatës kundrejt firmosjes së procesverbalit për ruajtjen e sekretit hetimor”, thuhet më tej nga SPAK.
/rtsh.al/