RTSH 24 Live

Aktualitet

U plagos pranë shkollës ‘Fan Noli’, SUT: Gjendja e 14- vjeçarit paraqitet e mirë, deri tani s'ka pasur asnjë komplikacion

4 orë para

U plagos pranë shkollës ‘Fan Noli’, SUT: Gjendja e 14- vjeçarit paraqitet e mirë, deri tani s'ka pasur asnjë komplikacion

Spitali Universitar i Traumës ka reaguar të enjten lidhur me disa aludime për mungesë shërbimi ndaj pacientit 14 vjeçar të plagosur pranë shkollës “Fan Noli”.

Sipas SUT-së, në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar, i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm edhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare.

Pacienti është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavijonin e Kirurgjisë së Përgjithshme.

“Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm”, thuhet në reagim.

Sipas SUT-së, në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive.

“Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës”, theksohet në reagim.

Spitali Universitar i Traumës, me këtë rast, shpreh mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.

/rtsh.al/