Tre vjet pas fillimit të punimeve, Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në fazat finale të ndërtimit. Gjatë një vizite në kantierin e aeroportit, Kryeministri Edi Rama theksoi se infrastruktura është duke u zhvilluar me ritme të shpejta dhe se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, veçanërisht për rajonin e jugut.
Kryeministri nënvizoi se aktualisht është duke u ndërtuar pista 3.2 kilometra, e cila do të jetë e gatshme për të pritur fluturimet komerciale. Po ashtu, punimet për ndërtimin e terminalit të ri, me një sipërfaqe prej 25,000 metrash katrorë, janë në fazën e avancuar. Ndërtesa të tjera të rëndësishme, si kulla e kontrollit dhe objektet mbështetëse për shërbimet e sigurisë dhe zjarrfikësve, janë gjithashtu në proces përfundimi.
“Tani duhet punë natë e ditë që të arrijmë që sezoni të përfshihet në aktivitetin e aeroportit dhe në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe pastaj me siguri shumë gjëra të tjera pozitive do vijnë nga prania e aeroportit, por është shumë e rëndësishme; ditë-natë, natë-ditë, ditë-natë, natë-ditë”, u shpreh Rama.
Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjinë, Belinda Balluku, theksoi se ndërtimi po përballet me disa sfida, kryesisht për shkak të kushteve gjeologjike të zonës, por shtoi se ekipi i punës po intensifikon përpjekjet për të përfunduar punimet brenda afateve të parashikuara.
“Pjesa më e madhe e punimeve është përqendruar në shtrimin e stabilizantit për pistën dhe instalimin e sistemeve të sigurisë, ndërsa kulla e kontrollit është pothuajse e përfunduar,” tha Balluku.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një nga projektet kryesore të zhvillimit infrastruktural në Shqipëri, që pritet të luajë një rol kyç në lidhjen e vendit me tregjet ndërkombëtare dhe në stimulimin e investimeve në rajonin e jugut.
Në prill mbyllet faza e publikimit të aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e operatorit të aeroportit, i cili është Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut, ndërkohë që qysh tani shumë nga agjencitë turistike lokale e ndërkombëtare kanë filluar të prenotojnë fluturimet e tyre në Vlorë, ku do të ndizet së shpejti një tjetër motor i ri i ekonomisë.
Nis së shpejti edhe rekrutimi i punonjësve, ndërkohë që Aviacioni Civil po punon për hapjen e një akademie për profesionistë në këtë fushë, në bashkëpunim me ICAO.
/rtsh.al/