Edhe në Kosovë u shënua Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa kryeministri Albin Kurti zgjodhi të ishte në Vlorë për të shënuar festën, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca dhe zyrtarët qeveritarë në Prishtinë, bënë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”.
“28 Nëntori është dita jonë e krenarisë, dita e flamurit tonë kombëtar, 28 Nëntori është dita më përbashkuese e popullit tonë dhe kombit shqiptar”, tha Konjufca.
Homazhe në Prekaz zhvilluan edhe liderët e partive opozitare. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se në këtë vend “i ka rrënjët historia e luftës çlirimtare dhe ku i ka rrënjët edhe lira e popullit tone dhe se festa e 28 Nëntorit sjell emocion, pasi ish-krerët e shtetit ndodhen në Hagë.
“Është një festë e cila duhet të na frymëzojë secilin për të bërë punë të mira për popullin tonë, vendin tonë. Është një festë që duhet të na përkujtojë sakrificat e gjeneratave të shumta për lirinë dhe shtetin tonë”, tha ai.
Rrugët dhe sheshet në qytetet në mbarë Kosovën janë mbushur me flamuj kuqezi dhe me simbole të tjera kombëtare. Ndërsa flamuri kombëtar u ndrit edhe në komunën e Preshevës nga kryetarja Ardita Sinani e cila tha se këtë vit për herë të parë festa e flamurit po organizohet në Luginë nga Ambasada e Shqipërisë
"Sot është dita kur çdo shqiptar, kudo që ndodhet kremton me krenarin Ditën e Flamurit dhe përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ditë na kujton sakrificat, qëndresën dhe ëndrrën shekullore të etërve tanë që ndërtuan themelet e kombit tonë. Këtë vit për herë të parë festa e Flamurit po organizohet në Luginën e Preshevës nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Komuna e Preshevës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptar”, tha ajo.
Në Kosovë, 28 Nëntori nuk është festë shtetërore. Por, Qeveria e Kosovës me vendim të posaçëm çdo vit e shpall këtë ditë si ditë pushimi.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/