Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nderë të festës së 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 112-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Kurti tha se 28 Nëntori është datë themeltare e historisë, e vetëdijes kolektive dhe identitetit shqiptar.
“Nga Vlora erdhëm në Prekaz për shkak se 28 Nëntori ka nisur me Skënderbeun në Krujë, ka vazhduar me Ismail Qemalin në Vlorë, por së fundmi në luftën çlirimtare edhe me Adem Jasharin dhe Jasharët këtu në Prekaz, në këtë qytet të kryengritjes shqiptare. 28 Nëntori është datë themeltare e historisë, e vetëdijes kolektive dhe identitetit shqiptar. Ngado që janë andaj edhe këtu në Prekaz kanë ardhur njerëzit nga të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët dhe ku i popullojnë ato në mënyrë autoktone në Ballkan, por edhe nga diaspora për ta përkujtuar e rikujtuar se flamurin e kemi të kuq për shkak se është derdhur shumë gjak për liri dhe pavarësi, ndërkaq shqiponjën e zezë në mes për shkak se jemi komb krenar sikurse shkaba dykrenore”, tha ai.
Teksa ka uruar të gjithë shqiptarët për këtë festë, Kurti ka përmendur edhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor të vitit 1997 në Llaushë.
“Me këtë rast dua të uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë për festën e pavarësisë së Shqipërisë e të flamurit kombëtar shqiptar duke përmendur përveç Prekazit, Vlorës edhe Krujës, gjithashtu edhe Lalushën atëherë kur në vitin 1997 Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj e shpallën botërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte bartëse e kryengritjes sonë dhe faktori kryesor që e bëri çlirimin e Kosovës në qershorin e vitit 1999”, tha Kurti.
/rtsh.al/