Situata e tensionuar në veri të Kosovës ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë shprehur shqetësimin mbi tensionet në veri, nxitur edhe më tej prej dyshimeve mbi rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
SHBA-BE u kanë bërë thirrje palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për de-përshkallëzimin e pakushtëzuar të situatës.
“I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të de-përshkallëzuar situatën pa kushte dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet. Ne jemi duke punuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrin e Prishtinës, Albin Kurti, të gjejnë një zgjidhje politike për uljen e tensioneve dhe ranë dakord për një rrugë të mëtutjeshme në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në dokumentin e BE-së.
BE dhe SHBA vënë theksin te respektimi i sundimit të ligjit dhe dënimi i çdo forme dhune.
"SHBA do të mbështesë punën e BE-së përmes misionit të saj për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX). Në përputhje me mandatin e saj, EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër të gjitha hetimet dhe procedurat që rezultojnë prej tyre, në mënyrë që të përmirësojë respektimin për të drejtat e njeriut”, thuhet në dokument.
Kjo veçanërisht përfshin garancitë për gjykim të drejtë, si dhe mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të komuniteteve të pakicës në Kosovë.
Gjithashtu, BE dhe SHBA presin që Prishtina dhe Beogradi të kthehen në nxitjen e një mjedisi të favorshëm për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre.
“Të gjitha detyrimet nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht, pa vonesë”, thuhet në dokument.
/rtsh.al/