Seanca e fundit plenare për këtë sesion duket se nuk do të zhvillohet e qetë, teksa që në minutat e para janë regjistruar tensione.
Opozita ka kundërshtuar miratimin e rendit të ditës, duke i rënë tavolinave në shenjë proteste, ndërsa kërkojnë që si pikë e parë të futet interpelanca urgjente e kërkuar prej tyre me kryeministrin Edi Rama dhe mocion me debat.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi insistoi në zhvillimin e interpelancës dhe mocionit, duke akuzuar kryeparlamentaren Lindita Nikolla se po shkel rregulloren e Kuvendit.
Bardhi kërkoi ndërprerjen e seancës për shkak të mungesës së kryeministrit Edi Rama, teksa theksoi se ky i fundit duhet të japë llogari, sipas tij, sa i përket aferës së inceneratorëve. Sipas Bardhit, janë 2 ministra të tjerë që po "po bëhen gati për në burg".
“E kuptoni sa qesharakë jeni? Ne jemi prezentë në seancë, numërojmë njëri-tjetrin dhe ju thoni janë 80 prezentë. Kur ju falsifikoni në mes të ditës në seancë plenare rezultatin e votimit, imagjinoni çfarë i bëni lekëve në buxhetin e shtetit. Gënjeni për çdo gjë dhe mendoni se do bëni seancë normale sot? Votove procesverbalin e seancës së kaluar dhe kur ne kërkuam herën e kaluar prezencën e kryemafiozit tuaj, na thatë përdorni mekanizëm që kërkon rregullorja. Ke dy kërkesa të opozitës, një për interpelancë urgjente që e ke për detyrë ta fusësh si pikë të parë të rendit të ditës dhe një mocion me debat për atë që konsiderohet vjedhja e shekullit. E kuptoj që doni ta kaloni këtë vjedhje në heshtje, por nuk mund ta kaloni aferën e inceneratorëve ku është përfshirë Edi Rama pa debat dhe pa dhënë llogari. Kërkoj të ndërprisni seancën. Ftoni kryeministrin të vijë në seancë dhe t’i përgjigjet kërkesës për interpelancë për mocion me debat. Ka sot dy ministra të tij në burg për aferën e inceneratorëve, po bëhen gati dy të tjerë dhe kryeministri duhet të japë llogari para qytetarëve", tha Bardhi.
/rtsh.al/