RTSH 24 Live

Sociale

Të moshuarit e vetmuar në spital, rriten traumat nga rrëzimet e shumta

16/09/2023

Të moshuarit e vetmuar në spital, rriten traumat nga rrëzimet e shumta

1 në 3 të moshuar apo rreth 100 mijë persona të moshës së tretë në vendin tonë kanë nevojë për kujdestar që t’u ofrojnë shërbim.

Sanija Gashi 77 vjeç, është vetëm një ndër ta, e cila me gjymtyrët që mezi i funksionojnë, ka trauma të shumta nga rrëzimet që nuk i ka kontrolluar dot.

Në spitalin e Traumës rrëzimet e të moshuarve të vetmuar po kthehen në një problem me përmasa sociale. Kaloi ishemi cerebrale me dëmtime të shumta, por falë përpjekjeve titanike të neurologut të ndjerë Drini Dobi ajo sot është ende në jetë.

77-vjeçarja Gashi mbahet në këmbë me vështirësi duke i shërbyer vetes dhe bashkëshortit të sëmurë në mungesë të fëmijëve mes kufizimeve te shumta.

Ishemia më la si pasojë këmbën e djathtë dhe krahun e djathtë të paralizuar, sidomos gishtat që nuk mund ti mbledh kështu. I mbledh me zor. Po të kap një tigan apo diçka tjetër, “dora ma lëshon”, shprehet Sanija.

Pa kujdestari dhe me gjymtyrët që mesi i funksionojnë Sanija ka trauma të shumta nga rrëzimet që nuk i ka kontrolluar dot

Sa herë jeni rrëzuar?

18 herë. Shkoja në spital ushtarak, jam vizituar dhe më thanë të mos i ngacmoj hemtomat. Nga rrëzimet kam thyer dy herë këmbën. Një herë kam thyer këmbën e djathtë në mes dhe një herë kam thyer 5 gishtat . Është shumë e vështirë të jetosh vetëm”, tregon ajo.  

Në spitalin e traumës rrëzimet në kushte shtëpie janë rritur shumë e për pasojë fenomeni ka marrë përmasa sociale

Në një pjesë të madhe  të rasteve , mosha e tretë, paraqitet me fraktura të skajit proksimal femoral të cilat kërkojnë ndërhyrje në kohën e duhur. Kemi edhe problemin social që shumica e të moshuarve jetojnë vetëm e në kushte të vështira për ti menaxhuar nga ana sociale. Janë rrëzime në banjë kryesisht, apo ambiente të tjera shtëpie që kërkojnë jo vetëm ndërhyrjen por edhe fizioterapi më pas”, shprehet Demiraj.

Ajo sot ndihet e braktisur, por refuzon të shkojë në azil.

Ndihesh e braktisur sot?

“Ndihem shumë e braktisur, sidomos prej djalit i cili ka 22 vite pa më pyt një herë 'O nënë si je?' Kam frikë, ndonjëherë marr edhe shkopin nëpër shtëpi."

Kur rrëzohesh kujt i kërkon ndihmë?

Burrit. Nëse më dëgjon, nëse jo, çohem duke u mbajtur deri tek dera vetë”.

Nga të dhënat e fundit të shoqatës së gjeriatrisë 1 në tre të moshuar ka nevojë për kujdes afatgjatë por këto nevoja nuk janë njëlloj për të gjithë. Ekspertët që merren me çështjet e moshimit theksojnë se Shqipëria duhet të formalizojë punën e kujdestarit duke i mbështetur financiarisht, siç kërkon edhe Sanija në rastin e vajzës e saj.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/