RTSH 24 Live

Kosovë

Takimi mes emisarëve të BE dhe SHBA me Kurtin, propozohen 3 kërkesa ndaj Kosovës

06/06/2023

Takimi mes emisarëve të BE dhe SHBA me Kurtin, propozohen 3 kërkesa ndaj Kosovës

Emisarët e SHBA dhe BE janë takuar një ditë më parë (5 qershor) me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, ku i kanë prezantuar propozimin në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmbante tre elementë, të cilët konsistonin në zhvillimet e fundit në veri, ide për de-eskalimin e situatës dhe urgjencës për zbatim të Marrëveshjes Prishtinë-Beograd.

I dërguari i BE për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak deklaroi për mediat se gjatë takimit janë zhvilluar bisedime të gjata dhe të vështira.

"Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira", tha Lajçak.

Ndërsa i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një deklaratë për mediat pas takimit, u shpreh se "Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”.

Pas përfundimit të takimit tri-palësh që zgjati përreth dy orë,  Zyra e Kryeministrit Kurti sqaroi se ky i fundit ka nënvizuar ndalimin e menjëhershëm të sulmeve në veri, nga ata të cilët i cilësoi si ekstremistë dhe grupe kriminale.

“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe ëashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në takimin tri-palësh, Kurti u shpreh i gatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të parakoshme, por sipas tij, pas sundimit të ligjit.

Vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit Kurti.

Dy ditë më parë (4 qershor), Escobar tha për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve. Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa. 

/rtsh.al/