RTSH 24 Live

Ekonomi

Shqipëria pranohet në SEPA, Rama: Hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE

21/11/2024

Shqipëria pranohet në SEPA, Rama: Hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE

Kryeministri Edi Rama ndau sot lajmin për pranimin e Shqipërisë në Sistemin Unik Europian të Pagesave (SEPA).

Kreu i qeverisë e konsideroi këtë "një hap të madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian". 

Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025,” shkroi Rama në mesazhin e tij në rrjetin “X”.

Më herët, Komisioni Europian përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet e para kandidate për anëtare në historinë e BE-së, që i bashkohen SEPA-s pas marrjes së dritës jeshile nga Këshilli Europian i Pagesave (EPC).

Sipas KE-së, kjo tregon se Plani i Rritjes apo nisma për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE po funksionon, përmes aksesit progresiv në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së dhe përafrimit të legjislacioneve me atë europian.

Si rezultat i vendimit të Këshillit Europian të Pagesave, ofruesit e shërbimeve të pagesave të këtyre dy vendeve do të kenë mundësinë t'i përmbahen skemave të ndryshme të SEPA-s sapo këto skema të përshtaten nga institucionet tregtare individuale,” thuhet në njoftim.  

Marrëveshja SEPA për Shqipërinë nënkupton transferta financiare më të lehta në monedhën euro për individët dhe bizneset, si edhe kosto më të ulëta për transaksionet midis dy vendeve dhe me anëtarët e tjerë të SEPA-s.

Komisioni Evropian, nëpërmjet një projekti të financuar në kuadër të instrumentit IPA dhe të zbatuar nga Banka Botërore, do të vazhdojë të mbështesë përgatitjen e ofruesve të shërbimeve të pagesave të Malit të Zi dhe Shqipërisë, si dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, që synojnë t'i bashkohen fushës gjeografike të SEPA-s në të ardhmen e afërt.

/ rtsh.al/