I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, u takuan të hënën pas dite me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, por ende nuk kanë dalë hollësi rreth takimit.
Takimi i parashikuar për orën 20.00 ka filluar me 30 minuta vonesë, për shkak të një angazhimi të kryeministrit Kurti i cili ndodhej në stadiumin ‘’Fadil Vokrri’’, duke ndjekur ndeshjen për Kupën e Kosovës.
Një ditë më parë, Escobar tha për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve. Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.
/ rtsh /